“The Diplomat”: Japonia “përzë” Kinën nga Kosova

Reklamimet për “Huawein” janë të përhapura nëpër Evropë. Në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, një reklamë masive elektronike e “Huaweit” qëndron mbi sheshin qendror. Një reklamë e “Coca-Colas” qëndron afër një statuje për të cilën çdo qytetar tregon se Aleksandri i Madh dominon në shesh. Zyrtarisht është i njohur si “Ushtari mbi kalë” në mënyrë që të mos i prekë ndjenjat e grekëve. Megjithatë, rrugët e një kryeqyteti tjetër në Ballkanin Perëndimor, vetëm një orë larg në veri, janë krejtësisht të lira nga produktet kineze.

Kështu shkruan revista ndërkombëtare që mbulon ngjarjet për rajonin e Azisë, “The Diplomat”, në një artikull për “lënien anash të Kinës në Kosovë, vendin ku ndikim ka Japonia”.

Gjatë një dreke, në një restorant tradicional kosovar, një zyrtar qeveritar ka reflektuar në rolin e Kinës në shtet, shkruan tutje “The Diplomat”.

“Kina nuk luan rol të madh këtu. Ka disa individë kinezë të përfshirë në tekstile dhe disa shitës individualë”, ka thënë Nebi Halili, që udhëheq çështjet ligjore për Shërbimin Korrektues të Kosovës. Halili ka pasur disa funksione në Kosovë. Ai shoqërohej nga një burokrat i Kombeve të Bashkuara që pajtohej me deklarimin për ndikimin minimal të Kinës.

Ndikimi i Kinës në botë po rritet shpejt, por jo aq edhe në Kosovë, thuhet në këtë shkrim, ku shpjegohet se Kina ka anashkaluar Kosovën në favor të Serbisë, ku, krahas Rusisë, është një nga përkrahësit kryesorë. Pekini nuk ishte pajtuar as me intervenimin e NATO-s më 1999. Më 7 maj 1999, një bombë e SHBA-së kishte goditur Ambasadën e Kinës në Beograd, duke vrarë tre punëtorë të medias kineze. Incidenti, që më vonë ishte thënë të jetë gabim, shkaktoi prishje të raporteve mes vendeve dhe ka jehonë edhe në të tashmen. Më 2008, Tajvani ka njohur pavarësinë e Kosovës, pavarësisht kundërshtimi të Kinës për këtë veprim. Kina vazhdon të përkrahë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të zgjidhur krizën. Sot, çështjet e mosnjohjes së Kosovës janë të rëndësishme. Krahas Tajvanit, Kosova nuk është anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në një kohë krize shëndetësore për shkak të COVID-19. Duke nënvizuar këtë, Kosova ishte i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor ku Kina nuk dhuroi ndihmë mjekësore si pjesë të “diplomacisë së maskës së fytyrës”.

Shenja masive e “Huaweit” në Shkup, Maqedoninë e Veriut, është vetëm një orë e gjysmë larg kryeqytetit të Kosovës. Kina ka mbetur e fokusuar kah Serbia. Pasi një korporatë amerikane ia shiti qeverisë një uzinë serbe të shkrirjes së çelikut për vetëm një dollar, investime të shumta kineze kanë kthyer fabrikën në “lumturi” për punëtorët e mbetur serbë. Ky është vetëm një shembull i rritjes së ndikimit të Kinës në Ballkan. Përderisa në Kosovë do të donin të njiheshin nga Kina, rasti i fqinjëve nga Mali i Zi ofron një përrallë paralajmëruese. Borxhi i Malit të Zi në raport me bruto produktin e brendshëm u rrit për 70 për qind pasi mori një hua prej 809 milionë eurove nga Banka e Kinës për Eksport-Import për të ndërtuar një autostradë nëpër terrenin malor, ndërtimi i së cilës po vazhdon ende.

Hyn Japonia.

Më herët gjatë vitit pas një takimi të krerëve të shtetit, kryeministri japonez Shinzo Abe prezantoi planet për të hapur një ambasadë të Japonisë në Kosovë. Njoftimi i Japonisë është i paprecedent për diplomacinë e vet për shtetet e panjohura, edhe pse Japonia ka “flirtuar” me njohjen e limituar të Palestinës dhe ka konsullatë në Taipei.

“Kosovës i duhet rend i lirë dhe i hapur ndërkombëtar, të cilin Tokio po e promovon globalisht”, kishte shkruar Kuni Miyake, drejtor në Institutin Canon për Studime Botërore në një opinion të publikuar në “Japan Times” në fund të vitit të shkuar.

Jashtë politikës, shumë kosovarë janë të lumtur që shohin rritjen e tregtisë mes vendeve, por edhe lidhjet diplomatike.

“Turistët japonezë e duan Kosovën dhe në veçanti verërat tona”, ka thënë Saranda Shala, eksperte e turizmit në Kosovë. “I takoj ata kur vijnë këtu. Jam e lumtur që i shoh dhe ndajnë fotografi në rrjete sociale për Kosovën edhe pas disa muajsh pas vizitave”, ka shtuar ajo.

Shala, vullnetare në kampet e refugjatëve më 1999, më vonë ishte licencuar për promovimin e turizmit nga JICA, agjenci zhvillimore japoneze. JICA ka qenë bukur e angazhuar në Kosovë. Një prej projekteve të saj më të mëdha në Kosovë është financimi i një sistemi monitorues të cilësisë së ajrit në Prishtinë. Në fillim të vitit, një monitor në sheshin “Nëna Terezë” i informonte qytetarët e Kosovës për cilësinë e ajrit.

“Hirano Mushrooms”, që ka zyrat në Mitrovicë, është biznesi më i madh japonez në Kosovë aktualisht. Në të njëjtën kohë është ferma më e madhe për kultivimin e kërpudhave ikonike japoneze “shiitake”. Shitoret në Kosovë nuk kanë produkte të prodhuara në Kinë, teksa shumica e mallrave vijnë nga Turqia apo nga shtetet tjera të Ballkanit. Ndonëse Kina zyrtarisht shpërfill Kosovën, mbështjellëset me flamuj të Kosovës për telefonat “Huawei” mund t’i gjesh në shitje nëpër shitoret në Kosovë.

Kina mund të mos jetë e pranishme, por ndikimi i saj mund të ndihet në Kosovë në mënyra të tjera. Kina mund të ketë rol në prapaskenë, në përkrahje të përpjekjeve serbe për cenimin e njohjes së Kosovës nga shtetet e Unionit Afrikan. Togoja, Republika Qendrore Afrikane, Gana e tani edhe Sierra Leone e kanë çnjohur Kosovën gjatë dekadës së kaluar. Kosova njëkohësisht është bllokuar prej anëtarësimit në Interpol, kryesisht shkaku i votave të shteteve afrikane. Sipas zyrtarëve të Kosovës, lobimi intensiv në minutë të fundit, nga zyrtarët serbë, mund të ketë bërë dallimin.

Sidoqoftë Kina, partnerja më e madhe tregtare për shumicën e shteteve në Afrikë, mund të jetë zëri vendimtar rreth këtyre çështjeve. Kina dhe Rusia janë pengesa për Kosovën,

“Dimë pak rreth këtyre dy shteteve në Kosovë. Japonia është miqësore dhe përkrahëse e Kosovës – për dallim prej Kinës”, thotë Besa Ismajli, deputete e PDK-së në Parlament. “Por, në aspektin afatgjatë, duhet ta ndryshojmë atë dhe të bashkëpunojmë me të gjitha shtetet”.