Thaçi: Vendimi për targa i drejtë, Qeverisë duhet t’i bëhet presion për vendosjen e reciprocitet të plotë ndaj Serbisë

Analisti Jusuf Thaçi ka komentuar zhvillimet e fundit që ndodhën në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, ku me vendimin e Kosovës është vendosur reciprocitet me Serbinë në çështjen e targave të automjeteve.

Thaçi në emisionin ‘Pressing’ në T7 tha se ky përveç që është një vendim i drejtë, është një detyrë, që Qeveria duhet ta kryejë.

“Vendim i drejtë, në fakt detyrë, nuk ish dasht m e u bo kaq e madhe, as nga përkrahësit e Albin Kurtit. E as nga ana e kundërshtarëve të Qeverisë Kurti. Thjesht është një detyrë që Qeveria ish dasht me kry”, tha Thaçi.

Tutje, ai shtoi se kundërshtarët e Qeverisë Kurti duhet t’i bëjnë presion qeverisë për vendosjen e reciprocitet të plotë në raport me Serbinë dhe për këtë të jenë të unifikuar.

“Kundërshtarët e Qeverisë Kurti duhet të bëjnë presion konstruktiv Qeverisë Kurti që të shkohet në drejtim të vendosjes së reciprocitetit të plotë në raport me Serbinë. Kjo nënkupton që do të duhej me pas një unifikim edhe në raport me Serbinë edhe në raport me faktorin ndërkombëtar, kur bëhet fjalë për reciprocitetin me Serbinë”, shtoi Thaçi.

Ndryshe, mëngjesin e djeshëm, Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosvës janë pozicionuar në pikën kufitare Kosovë – Serbi, në Jarinje. Dhjetëra autoblinda të Policisë së Kosovës kanë shkuar atje për ta siguruar zbatimin e vendimit më të fundit të Qeverisë së Kosovës.