Thaçi vazhdon të këmbëngulë se Lugina do t’i bashkohet Kosovës
Gjatë inaugurimit të Kompleksit Memorial në Marinë të Skenderaj, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shfrytëzuar rastin të përkujtojë vitet e luftës, me ç’rast theksoi se të gjithë dëshmorët e rënë simbolizojnë krenarinë dhe dinjitetin e vendit tonë, transmeton ballkani.info.
“Në këtë tokë të Drenicës do të pushojnë përjetësisht eshtrat e 158 dëshmorëve të UÇK-së. Ata që në kohë dhe vende të ndryshme, në grupe ose individualisht, ranë heroikisht në beteja, istikame, aksione e përballje më forcat serbe në vitet 1998, 1999. Këtu do të prehet krenaria e Drenicës, Kosovës dhe mbarë kombit. Këta emra të skalitur në gur graniti ishin bijat dhe bijtë tuaj të shtrenjtë. Ishin bashkëluftëtarët tanë që më shumë se jetën e kishin të shtrenjtë lirinë e atdheut, lirinë e Kosovës. Në vitet e papërsëritshme, ata u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ndër të tjerash Thaçi shprehi edhe angazhimin që shteti jonë është duke bërë për antarsimin e shtetit në organizatat ndërkombëtare të sigurisë.
“Po punojmë intensivisht për anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Presim me të drejtë në muajt e ardhshëm liberalizimin e vizave. Po punojmë fuqishëm në koordinim me miqtë tanë, SHBA-në dhe NATO-n, për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës, në ushtri të Kosovës. Si dhe në kuadër të dialogut të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, do të punojmë në mënyrë unike që të arrijmë marrëveshje paqësore, duke nënkuptuar njohje reciproke, njohje nga 5 vendet e BE-së, anëtarësim në NATO, BE dhe OKB. Dhe në kuadër të marrëveshjes me Serbinë për korrigjimin e kufijve, edhe për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën”, ka thënë presidenti Thaçi.