Thaçi uron SHBA-të: Kosova dhe shqiptarët emocionalisht janë bashkë me Amerikën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 243 vjetorit të pavarësisë.

Thaçi në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se ky përvjetor është ndër më të veçantit për Republikën e Kosovës, pasi që përurohet objekti i ri i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Postimi i plotë:

Sot është ditëlindja e 243-të e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Çdo 4 Korrik, Kosova dhe shqiptarët emocionalisht janë bashkë me Amerikën, vend dhe popull ky që kontribuoi shumë që ne të jemi të lirë dhe të pavarur. Ky përvjetor është ndër më të veçantit për Republikën e Kosovës, meqë përurojmë objektin e ri të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, e cila është përjetësim i angazhimit amerikan në vendin tonë. Edhe pas shumë shekujsh, SHBA-ja mbetet udhërrëfyes i paqes dhe demokracisë në botë! HTH