Thaçi thotë se nëse merret Lugina, stabilizohen Kosova e Serbia

Sipas Presidentit Thaçi, nëse realizohet kërkesa e shqiptarëve të Luginës për bashkim me Kosovën, atëherë do të arrihet paqja dhe stabiliteti afatgjatë me Serbinë.

Presidenti Hashim Thaçi ka shkruar pasi Kuvendi mbajti seancë për gjendjen në Luginën e Preshevës.

Ai akoma thotë se duke e marrë Luginën e Preshevës, Kosova do të arrijë paqe dhe stabilitet me Serbinë, transmeton Gazeta Express.

“Kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, sipas vullnetit të tyre të lirë për vetëpërcaktim, janë legjitime dhe në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Jetësimi i këtyre kërkesave e ndihmon stabilitetin afatgjatë dhe kontribuon në vendosjen e paqes në rajonin tonë, duke hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Presidenti në Facebook.

Ai e ka përmendur edhe draft-rezolutën që ia ka dorëzuar Kuvendit, por e cila nuk u vu as në diskutim gjatë seancës.

“Si president i vendit i kam mbështetur vazhdimisht kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por sot i kam dërguar Kuvendit edhe një draft-rezolutë, ku përtej dallimeve politike apo çfarëdo qofshin ato, kam kërkuar që këto kërkesa të mbështeten dhe të miratohen edhe prej të zgjedhurve të popullit në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në shkrimin e Thaçit.

loading…