Presidenti

Thaçi thotë se Maqedonia zgjodhi rrugën e integrimeve evropiane

Kuvendi i Maqedonisë mbrëmë miratoi nismën për ndryshimet kushtetuese, që i hap rrugë Marrëveshjes së Prespës për emrin e ri të këtij shteti. Këtë vendim Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e vlerëson si hap drejt rrugës evropiane të Shkupit.
Thaçi, përmes një postimi në Facebook, tha se “Kuvendi i Maqedonisë mbrëmë dha shembullin e bashkimit të të gjitha partive për të mirën e qytetarëve dhe shtetit të tyre”.

Postimi i plotë i Thaçit:

“Maqedonia e zgjodhi rrugën e integrimeve euroatlantike dhe bëri një hap të madh për forcimin e paqes në tërë rajonin tonë. Kuvendi i Maqedonisë mbrëmë dha shembullin e bashkimit të të gjitha partive për të mirën e qytetarëve dhe shtetit të tyre. Shteti forcohet dhe integrohet kur të zgjedhurit e popullit marrin vendimet e duhura dhe tejkalojnë interesat politike për interesat shtetërore. Republika e Kosovës i gëzohet këtij vendimi shumë të rëndësishëm të shtetit tonë fqinj. Paqen dhe stabilitetin në rajon e forcojmë vetëm duke dëshmuar vendosmëri në orientimin euroatlantik dhe duke punuar shumë për integrimin në familjen evropiane”, ka shkruar Thaçi.