Thaçi thotë se Japonia mbështetë dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me Perandorin Naruhito i Japonisë, është pritur në një takim nga kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe.

Në këtë takim është biseduar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve dhe për mundësinë e rritjes së shkëmbimit ekonomik, arsimor dhe kulturor.

Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se Thaçi ka falënderuar kryeministrin Abe për mbështetjen që Japonia i ka dhënë Kosovës, sidomos në fazën e shtet-ndërtimit, të forcimit të institucioneve, në fushën mediave, shëndetësisë, arsimit, kulturës dhe ambientit.

“Këtë vit shënojmë 10 vjet të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve. Është një lajm jashtëzakonisht i mirë që Japonia po rrit praninë e vet në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai, pas një konference për media me kryeministrin japonez. “Në Kosovë kjo konkretisht bëhet me hapjen e Ambasadës Japoneze në fillim të vitit të ardhshëm”, shtoi presidenti Thaçi.

Sipas tij, iniciativa e kryeministrit Abe për bashkëpunimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor është shumë inkurajuese dhe ka për qëllim krijimin e paqes afatgjate në rajonin tonë.

Nga ana tjetër, kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe ka thënë se në 10 vjetet e fundit marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Japonisë janë rritur jashtëzakonisht shumë.

“Sot kemi shkëmbyer pikëpamje të ndryshme për të gjetur mënyra për të avancuar këtë bashkëpunim”, ka thënë kryeministri Abe.

Në këtë takim është biseduar edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si parakusht për anëtarësimin e dy vendeve në Bashkimin Europian.

“Në këtë drejtim sigurova kryeministrin Abe se Kosova mbetet e përkushtuar për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare paqësore, që nënkupton njohjen reciproke”, ka thënë Thaçi.

Edhe kryeministri japonez, Shinzo Abe ka folur për rëndësinë e arritjes të një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe krijimin e parakushteve për të vazhduar ky dialog.

“Japonia është duke promovuar paqen dhe stabilitetin në rajon. Ne mbështesim dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Shpresoj të shoh lidershipin e Presidentit Thaçi për arritjen e këtij progresi në këtë dialog”, ka shtuar Abe.

Në këtë takim janë biseduar edhe mënyrat konkrete për investimet japoneze në Kosovë. Me këtë rast, kryeministri Abe ka mirëpritur iniciativën e presidentit Thaçi për krijimin e një parku të biznesit për kompanitë japoneze në Kosovë, duke kontribuar në shkëmbim të madh dhe zhvillim ekonomik për Kosovën.

Është folur gjithashtu edhe për shqetësimet për sigurinë e përgjithshme të Japonisë për shkak të sjelljes së Koresë së Veriut.

Presidenti Thaçi është shprehur se Kosova mbështet plotësisht qëndrimin e Japonisë dhe kërkon të vazhdohet dialogu për zgjidhjen e kontesteve e sidomos me prioritet të gjendet zgjidhje për kidnapimin e qytetarëve japonezë nga autoritetet e Koresë Veriore.

Pas takimit, kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe ka shtruar një darkë për Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe delegacionin kosovar.

loading…