Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka qëndruar në SHBA ditën e sotme në një takim me Këshilltarin e Presidentit Amerikan, Donald Trump.
Takimi mes Thaçit dhe Këshilltarit amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton, është zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti Thaçi pas takimit, në një prononcim për media, ka thënë se SHBA i ka ofruar dhe vazhdon t’i ofrojë mbështetje unike dhe të plotë.
Ai ka thënë se pas takimit me Këshilltarin Bolton, kanë vlerësuar se është momenti i duhur, të cilin Kosova dhe Serbia nuk duhet ta humbin për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.
“Është momenti i duhur historik, të cilin Kosova dhe Serbia nuk duhet ta humbin, për arritjen e marrëveshjes përfundimtare e cila do të nënkuptonte njohjen reciproke mes dy shteteve, ndryshimin e rezolutës 1244 dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara” ka thënë Thaçi, përcjell Ballkani.info.
Presidenti Thaçi më tutje ka thënë se institucionet e Kosovës gëzojnë mbështetjen e plotë të SHBA-së, për arritjen e një marrëveshje paqësore me Serbinë dhe mbarimin e një konflikti një shekullor.
Thaçi ka thënë se Kosova duhet të shfrytëzojë këtë moment andaj ka bërë thirrje për një konsesus sa më të gjerë të partive politike në Kosovë.
“Arritja e një marrëveshje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë, do të nënkuptonte njohje reciproke dhe më në fund, largimin e VETO-s nga shteti rus në Këshillin e Sigurimit dhe Kosova të fitojë njohje globale” ka thënë Thaçi.
I pyetur nga gazetarët se a do të nënkuptonte arritja e marrëveshjes me Serbinë, korigjim kufijsh, presidenti Thaçi ka thënë se “marrëveshja do të jetë gjithpërfshirëse dhe do të përmbyllte shumë çështje të hapura mes Kosovës dhe Serbisë të cilat do të diskutohen nga ekipi negociator i Kosovës, që shpresoj se do të votohet në ditët në vijim në Kuvendin e Kosovës”. /Ballkani.info/







