Thaçi sërish për Sali Berishën: I bënte argat Millosheviqit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë i ka komentuar sërish akuzat e ish-kryeministrit shqiptar, Sali Berisha.

“Gjithmonë krimineli kthehet në vendin e krimit. Sali Ramë Berisha ka kryer krim të rëndë kundër UÇK-së kur është angazhuar në një fushatë armiqësore shpifjesh kundër saj, paralelisht me fushatën ushtarake të Sllobodan Millosheviqit. E kam falur këtë duke e shikuar si një gabim strategjik të një politikani dhe i kam shtrirë dorën e bashkëpunimit”, ka thënë Thaçi.

Sipas presidentit kosovar, në maj të vitit 1999, kur Sali Berisha ka qenë i izoluar nga shqiptarët dhe nga bota, Thaçi e ka takuar atë, sepse “nuk kam dashur ta shpalli e ta trajtoj si armik apo si tradhtar”.

Presidenti Thaçi ka folur edhe për periudhën sa kishte raporte relativisht normale me Berishën.

“Kam vlerësuar gjithmonë se armiqësitë në mes vetë shqiptarëve janë më të rënda se vetë plumbat e Serbisë. Jam munduar ta respektoj atë në komunikimin tonë prej më shumë se dy dekadash”, ka shtuar Thaçi.

Ai ka shtuar se Berisha një kohë është sjellë mirë gjatë bashkëpunimit që kanë pasur si kryeministra.

“Por, fatkeqësisht, sot ai është kthyer në vendin e krimit dhe ka shkuar edhe më larg. Ndiej keqardhje për të, sepse sot është shndërruar në një gërmadhë politike e shoqërore shqiptare. Fatkeqësisht, për të paska pasur shumë të drejtë Ibrahim Rugova që për vite të tëra nuk pranoi t’ia jepte dorën dhe kështu qëndroi deri sa u nda nga jeta”, ka thënë Thaçi në një intervistë për Gazetën Dita.

Presidenti Thaçi ka thënë se ai nuk i quan kurrë armiq apo tradhtarë njerëzit qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, që kanë mendime ndryshe prej tij.
Përkundrazi, Thaçi ka thënë se i dëgjon dhe i respekton të gjitha opinionet dhe i peshon argumentet e secilës ide, pa marrë parasysh prej kujt vijnë.
Presidenti i Kosovës ka folur edhe për akuzat që Berisha ia ka bërë për idenë e korrigjimit të kufijve.

“Vetvetiu shtrohet pyetja pse Sali Ramë Berisha nuk guxon të përmend Ibrahim Rugovën, Rexhep Qosjen, Nexhat Dacin apo zyrtarë tjerë të lartë të LDK-së, që kanë folur për shkëmbim territoresh? Unë personalisht kam qenë dhe jam kundër një ideje të tillë. E kush është ky patriot që na flet sot? Kur Berisha i bënte argat Sllobodan Millosheviqit në vitet 92-95, unë me bashkëluftëtarët e mi e luftonim makinerinë vrastare të Millosheviqit, të njëjtën që ai e furnizonte me karburante, duke shkelur edhe sanksionet ndërkombëtare që i kishte vënë Perëndimi. Ky kontrabandist strehoi edhe kryekriminelin Arkan, duke i plotësuar të gjitha qejfet atij”, ka shtuar Thaçi.

Ai ka theksuar se vërtet ndjen keqardhje për të, meqë është bërë kryeprotagonist i përçarjeve brenda-shqiptare tash e tri dekada.

“Duket se ky ka qenë misioni i tij. Por, tash është në gërhimat e fundit të tij. Kjo është trashëgimia e tij. Kosova nuk ia bëri trazirat e vitit 1997 në Shqipëri. As nuk i grabiti shqiptarët përmes fajdeve. Kosovës nuk mund t’i vihet faji as për 21 janarin apo për Gërdecin, apo mëkatet dhe aktet tjera kriminale. E sidomos Kosova nuk duhet të bëhet pjesë e fushatës politike elektorale në Shqipëri”, ka thënë Thaçi.