Thaçi: Sa më parë të formohet qeveria e re, jemi vonuar në rimëkëmbjen ekonomike

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur sot konferencë për media pas vendimit të mbrëmshëm të Kushtetueses.

Thaçi ka thënë se ka qenë shumë i kujdesshëm në marrjen e vendimeve që ato të jenë në përputhej të plotë me Kushtetutën.

Në këtë kuadër, ai ka bërë thirrrje që vendimi në fjalë të respektohet nga të gjitha partitë politike në Kosovë.

“Si president i vendit, e mirëpres vendimin e Kushtetueses që i hap rrugë krijimit të qeverisë së re. Kam qenë i kujdesshëm në çdo hap që kam ndërmarrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën e vendit. Kjo u konfirmua edhe mbrëmë. Kushtetuesja konfirmoi se Kuvendi i Kosovës është institucioni më i lartë në vend. Tani, duhet që sa më parë të themelohet qeveria e re, pasi rrethanat kërkojnë qeveri funksionale, efektive dhe efikase. I bëj thirrje të gjitha institucioneve dhe partive politike që t’i zbatojnë të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetueses. Ftoj të gjithë krerët që të kemi një tranzicion të suksesshëm”, ka thënë Thaçi.

Thaçi tutje tha se duhet të ruhet rendi kushtetues dhe sistemi i drejtësisë në Kosovë.

“Duhet ta ruajmë rendin Kushtetues dhe integritetin e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Ta ruajmë paqen dhe stabilitetin. Pra të përqëndrohemi në atë që është kryesorja për qytetarët e Kosovës. Të përqëndrohemi në tejkalimin me sukses të pandemisë së koronavirusit. Pra të punojmë edhe në rimëkëmbjen ekonomike, sepse edhe ashtu jemi me vonesë”, ka thënë tutje presidenti.

Po ashtu, presidenti i bëri thirrje BE-së që të marrë sa më shpejtë vendimin për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Ftoj BE-në që sa më parë të marrin vendimin e merituar për liberalizimin e vizave. Të punojmë të gjithë së bashku që Kosova sa më shpejtë të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së”, ka thënë presidenti në këtë konferencë për media.