Thaçi: Qeveria e re pa vonesë të propozojë planin e rimëkëmbjes ekonomike

Pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka bërë thirrje mandatarit për kryeministër, Avdullah Hotit të marrë përgjegjësitë dhe të formojë qeverinë sa më shpejt.

I pari i shtetit, në një konference për medie, tha se Qeveria e re pa asnjë vonesë duhet të propozojë planin e rimëkëmbjes ekonomike.

Thaçi: Pres që sa më parë të themelohet qeveria e re

“Tani pres që sa më parë të themelohet qeveria e re, pasi rrethanat kërkojnë një qeveri funksionale dhe efektive. Kosova nuk e ka luksin të ketë vakum në qeverisje. Na duhen institucionet që lëvizin gjërat përpara, jo institucione viktimë e së kaluarës, stagnimit dhe vendnumërimit. Mirë që është përcaktuar periudha kohore dhe dita e mbajtjes së seancës së re, andaj ftoj partitë politike dhe të nominuar për kryeministër të marrin përgjegjësitë”, tha ai.

Duke kërkuar stabilitet dhe reflektim, presidenti Thaçi tha se Kosova në tri vjetët e fundit ka humbur për shkak të ndërrimit të kryeministrave.

Thaci: Qeveria e re të propozojë planin e rimëkëmbjes ekonomike

“Qeveria e re, pa vonesë duhet të propozojë planin e rimëkëmbjes ekonomike”, tha ai.

Për vendimin e Kushtetueses që e i jep të drejtë dekretit për emrin e mandatarit për kryeministër, Thaçi tha se përmes kësaj u dëshmua se në Kosovë është pjekur demokracia.

Thaçi: U dëshmua se në Kosovë është pjekur demokracia

“U dëshmua edhe një herë se në Kosovë është pjekur demokracia dhe funksionojnë me sukses institucionet e pavarura”, tha ai.

Gjykata Kushtetuese të hënën pasdite publikoi aktgjykimin e plotë ku konstaton se dekreti i Thaçit është në përputhje me Kushtetutën.