Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka kujtuar 21 vjetorin e sulmit të dytë të armatosur të forcave serbe kundër familjes Jashari në Prekaz.
Thaçi ka thënë se sulmet e vazhdueshme mbi familjen Jashari kanë qenë paralajmërim nga shteti serb për shtypje me dhunë ndaj çdo familje liridashëse në Kosovë, përcjell Ballkani.info.
Në fund, Thaçi ka thënë se çdo popull ka historinë e tij për heronjtë e shumtë, por komandanti Adem Jashari dhe familja e tij, sipas Thaçit, janë shembulli më unik i atdhetarizmit dhe vetëmohimit për lirinë e një populli. /Ballkani.info
Statusi i plotë i presidentit Thaçi:
Para 21 vjetësh, më 22 janar 1998, ka ndodhur sulmi i dytë i armatosur i forcave serbe kundër familjes Jashari në Prekaz. Sulmet e vazhdueshme mbi këtë familje, e cila dallohej për atdhetarizëm dhe veprime të guximshme kombëtare, ishin paralajmërim se Serbia po përgatitej të shtypte me dhunë çdo familje liridashëse në Kosovë.
Familja Jashari, me idealizëm dhe ndërgjegje të lartë njerëzore, politike e kombëtare, asnjëherë nuk ndaloi së sakrifikuari për liri dhe pavarësi. Historitë e popujve kanë rrëfime të ndryshme për shumë heronj, por komandanti Adem Jashari dhe familja e tij janë shembulli më unik i atdhetarizmit dhe vetëmohimit për lirinë e një populli.







