Thaçi për Kurtin: Shkelës i dyfishtë i Kushtetutës, i shkarkuar, dhe uzurpator i institucioneve

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk mund të cilësohet ndryshe pos uzurpator i institucioneve të Republikës së Kosovës, meqë sipas tij, Kurti ka shkelur dy herë Kushtetutën dhe është shkarkuar gjithashtu pas 45 ditëve qeverisje nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Të gjitha janë dëshmitarë edhe në Kosovës edhe ndërkombëtarët, se z. Kurti si kryeministër derisa është shkarkuar nga deputetët, gjatë atyre të 45 ditëve ka bërë dy shkelje të rënda të Gjykatës Kushtetuese. Pra një njeri që ka bërë dy shkelje të Kushtetutës dhe që është shkarkuar nga deputetët, nuk mund të quhet ndryshe pos uzurpator i institucioneve”, ka thënë Thaçi në një konferencë për media pas takimit me kreun e Odës Ekonomike të Kosovës.

Presidenti gjithashtu ka thënë se grupin e Kurtit bashkë me ushtruesin e detyrës Xhelal Sveçla do të duhet të përballen me drejtësinë, sipas Thaçit për të gjitha veprat e kundërligjshme që kanë bërë përgjatë qëndrimit në pushtet.

Në këtë konferencë ai ka folur edhe për çështjen e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë.