Thaçi nuk pret ndryshim të marrëdhënieve me Serbinë në takimin e Berlinit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk pret diçka të re lidhur me raportet Kosovë-Serbi, nga takimi i Berlinit më 29 prill.

Ai thotë se takimi me liderët e Ballkanit Perëndimor do të jetë një takim rutinë e rritjes së vëmendjes së Gjermanisë dhe Francës për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti thotë se e vlerëson rritjen e interesimit prej Gjermanisë dhe Francës, për të uruar marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë, dhe fokusin për mundësinë e arritjes së një marrëveshje Kosovë-Serbi, por sipas tij, nuk do të ketë diçka të re nga ky takim sa i përket marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Natyrisht që Kosova do të marrë pjesë sikur të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, si shtet i pavarur dhe sovran, por nuk pres diçka të re nga ky takim në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, por do të jetë një takim rutinë i rritjes së vëmendjes së tyre për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Është një mundësi shumë e mirë që kjo konferencë definitivisht t’i japë shtytje liberalizimit të vizave për Kosovën, por edhe të dënojë gjenocidin e Serbisë në Kosovë”, ka thënë Thaçi të mërkurën para gazetarëve, raporton KP.

Ndryshe, më 29 prill është paralajmëruar takimi i Berlinit ku do të marrin pjesë liderët e vendeve të Ballkanit.

Në këtë takim Kosova pritet të përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, gjithashtu edhe Serbia pritet të përfaqësohet nga presidenti i saj Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Brnabiq.