Thaçi: Nuk pranojmë asnjë kusht për takimin e radhës me Serbinë, taksa mbetet në fuqi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur për media pas takimit me delegacionin nga Franca dhe Gjermania.

Thaçi ka treguar detaje nga takimi, duke thënë se kanë folur për zhvillimet e fundit dhe takimet e ardhshme që po i presin.

Ai ka thënë se ka kundërshtuar heqjen e taksës, duke thënë se ajo duhet të mbetet në fuqi.

“Nga fryma e diskutimit që zhvilluam sot, pashë që ka një angazhim më serioz nga shtetet e BE-së dhe SHBA-së gjithashtu, si kusht i domosdoshëm për vazhdimin e dialogut”, ka thënë Thaçi, përcjell Ballkani.info.

Tutje, presidenti i vendit ka thënë se gjatë takimit me delegacionin francez e gjerman, ka potencuar edhe nëjherë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë i pakushtëzuar.

“Sikur dialogu ashtu edhe takimi i Parisit, do të ndodhë pa marrë parasysh disponimin e Vuçiqit. Asnjë shtet i BE-së nuk duhet të lejojë që Beogradi të vendosë kushte për takimin e Parisit, në fund të fundit jemi vende fqinje, nëse edhe vetëm për mot takohemi, mirë që takohemi”, ka deklaruar Thaçi.

Në fund, ai ka deklaruar se Kosova në asnjë rrethanë nuk do të pranojë kushte të reja për liberalizimin e vizave, duke theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për lëvizje të lirë, përderisa po diskriminohet nga BE-ja. /Ballkani.info