Thaçi: Nuk jam pyetur për pretendimet e të ashtuquajturës “Shtëpia e Verdhë”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka përfunduar marrjen në pyetje në Hagë.

Ai, në ditën e katërt të intervistimit nga Specialja, është intervistuar rreth tetë orë nga prokurorët.

“Sapo përfundova dëshminë time dhe më vjen mirë që për 4 ditë kisha mundësi të jap sqarime. Gjatë këtyre ditëve jam munduar të jap sqarime për rolin tim dhe përgjegjësitë e mia në UÇK”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi njoftoi se gjatë seancave ka qenë i shoqëruar nga avokati i tij.

“Dëshmia ime ka zgjatur shumë, por kemi pasur seanca produktive”, ka thënë ai.

Megjithatë, si ka thënë ai, nuk ka të drejtë të japë asnjë informacion për dëshminë e tij.

Ai ka shtuar se nuk është pyetur asgjë rreth pretendimeve për të ashtuquajturën ‘Shtëpia e verdhë’ .

“Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet”, ka thënë ai. “Nëse ZPS bën punë profesionale, të ndershme dhe paanashme mund të vijnë në përfundim se nuk kam bërë asnjë lloj krimi”.