Presidenti

Thaçi nga Brukseli: Ushtria është çështje e kryer, tek e fundit ky është vendim i Kosovës!

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili po qëndron në Bruksel për të marr pjesë në drekën e punës me liderët e Ballkanit, ka thënë disa fjalë për zhvillimet e fundit.

Ai ka përsëritur se çështja e Ushtrisë së Kosovës tanimë është e kryer dhe se nuk ka kthim prapa.

Më poshtë pjesë nga fjala e Thaçit:

Themelimi i ushtrisë së Kosovës është punë e kryer. Ushtria ka marr mbështetje të fuqishme prej vendeve më të fuqishme të botës edhe para fillimit të seancës së OKB si dhe nga tetë vendet e BE që dolën me një deklaratë të përbashkët.

Edhe gjatë seancës morëm një mbështetje të jashtëzakonshme për ushtrinë, falënderoj këto vende.

Tek e fundit ky është vendim i Kosovës, i të zgjedhurve dhe institucioneve të vendit.

Tani duhet të fokusohemi vetëm në zhvillimin e vendit dhe për hapat e mëtutjeshëm për integrimin në NATO.

E vlerësoj lartë letrën e Trumpit, zotimin e tij për mbështetje dhe ndihmës për arritje e një marrëveshje finale me Serbinë.

Mesazh i Trump është mesazh i SHBA-ve për qytetarët dhe lidershipin kosovar që të punojmë sa më shumë që të përmbyllim këtë proces me një marrëveshje finale me njohje reciproke.

Javë më parë isha në Shtëpinë e Bardhë dhe në departamentin e shtetit, mesazhi i Trumpit për Kosovën mund të krahasohet ne ato që i ka dhënë Bushi i vjetër dikur që tha se nuk do të lejonte të ndodh në Kosovë ajo që kishte ndodhur në Bosnje, pastaj me vendimin e Cllintonit për të parandaluar sulmet në Kosovë, si dhe mesazhin e Bushit të ri që tha se ‘mjaft është mjaft’.

Letra e Trump pas 11 vitesh është një qëndrim dhe pozicion i qartë me mbështetje unike dhe besoj se si çdo herë që Kosova i ka besuar dhe i ka respektuat SHBA-të do të bëj njëjtë edhe tani.

Roli im në dialog do të jetë kushtetues dhe ligjor, pres angazhim nga ekipi negociator, prej të cilit do të formohen edhe nënekipe tjera. Kam marr ide dhe rekomandime të ndryshme nga të gjithë për dialogun.

Duhet të tregohemi lidership serioz, lidership serioz e shtet serioz që merr vendime dhe që ratifikohen në Kuvendin e Kosovës.

Është fundi i vitit, është takim i liderëve të Ballkanit, shpresoj se do të jetë një bilans i vendeve tona për të ardhmen evropiane, dhe të flasim me një zë unik që Ballkanit Perëndimor të integrohet sa më shpejt në familjen evropiane.

Si Kosovë vonesat për vizat kanë qenë dhe janë të padrejta. Ne kemi kryer të gjitha detyrat, më tepër se të gjithë vendet tjera që kanë kaluar nëpër procesin e liberalizimit të vizave.