Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se marrëveshja në Washinton mes Kosovës dhe Serbisë është dëshmi se në Shtëpinë e Bardhë nuk ka pasur harta e thika, ndërsa ka shtuar se njerëzit që i kanë bërë këto konspiracione duhet të kërkojnë falje publike.

“Formalizimi i marrëveshjes në Washinton është i përcjellur nga një proces i gjatë. Realisht ne duhet të shohim në parim marrëveshjen, ndërsa sa i përket çështjeve teknike i përket Qeverisë që ta vë në funksion. Sikur skena politike e Kosovës të ishte unike, marrëveshja do të ishte më e qëndrueshme, nuk do t’i humbnim ato vite që kemi humbur me gënjeshtra dhe akuza të ndërsjella. U pa se nuk ka pasur thika në Shtëpinë e Bardhë, nuk ka pasur harta. Ku mbeten ato gënjeshtra dhe theksoj se ata njerëz duhet të kërkojnë falje”, ka deklaruar Thaçi në një konferencë për media, dy ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes ekonomike mes palës kosovare dhe asaj serbe në Shtëpinë e Bardhë.