Presidenti i Kosovës ka thënë në Këshill të Sigurimit para shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, se asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur në Kosovë javën e kaluar.
Në fakt, sipas presidentit Thaçi, ajo që ka ndodhur është një vendim krejt normal, i drejtë në mision dhe qëllim.
“Nëse Kosova ka bërë gabim është sepse ka pritur pesë vite pa nevojë për themelimin e ushtrisë.
Vendimi për ushtrinë është i vonuar e assesi i gabuar. Është i vonuar sepse kemi pritur, vullnet të mirë nga ata që kurrë deri më sot, nuk e treguan në raport me shtetin e Kosovës. Por tani, Republika e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur, ka ndërmarrë një hap të natyrshëm për themelimin e ushtrisë së saj. Më thoni ju lutem çka ka të jashtëzakonshme këtu? Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, asgjë fare, që është në kundërshtim me Rezolutën 1244, pakon e presidentit Ahtisari, Kushtetutën e Kosovës, apo të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi.
Pikë së pari, Thaçi ka thënë se Rezoluta 1244, përkatësisht paragrafi 15, i referohet vetëm demilitarizimit të UÇK-së, proces ky i përmbyllur në kohë rekorde dhe pa asnjë incident në shtator të vitit 1999, si dhe i vlerësuar lartë edhe nga Këshilli i Sigurimit dhe Sekretari i atëhershëm Kofi Annan.
“Ishte vlerësuar lart edhe nga NATO dhe kjo mbështetet nga dëshmitë dhe raportet ekzistuese të NATO-s, por edhe të UNMIK-ut në atë kohë”, ka thënë Thaçi.
Së dyti, sipas tij, pakoja gjithëpërfshirëse e presidentit Ahtisari, i cili ishte edhe i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të KB-së për negociata lidhur me statusin final të Kosovë, në nenin 52 nënvizon qartë të drejtën e Kosovës për të pasur ushtri.
“Për më tepër, rishikimi i sektorit të sigurisë, i realizuar në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n, thekson shumë qartë të drejtën e Kosovës për transformimin e FSK-së në ushtri. Dhe në fund fare, vijon më e rëndësishmja, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që duhet theksuar se është marrë me kërkesën e shtetit serb, nënvizon qartë si loti se Kosova nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me shpalljen e pavarësisë së saj. Dhe rrjedhimisht, është e drejtë e pakontestueshme e Kosovës që të ketë ushtrinë e saj”, ka thënë Thaçi.
Themelimi i ushtrisë, sipas presidentit Thaçi, është vullnet i qytetarëve të Kosovës me mbështetje unanime politike nga të zgjedhurit e popullit, pavarësisht nëse i pëlqen kjo dikujt apo jo.
“Shteti i Serbisë është paraqitur i zemëruar. Por, jo edhe qytetarët serbë të Kosovës”, ka thënë Thaçi.







