Thaçi mesazh të fuqishëm Hotit: Takimi i së enjtes në Bruksel është i rrezikshëm për Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë sonte se takimi i paralajmëruar për të enjten ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, është i dëmshëm dhe i shkon për shtati vetëm Serbisë.

Duke folur për temat e paralajmëruara për këtë takim, siç është Asociacioni i komunave me shumicë serbe, pronat dhe kishat, Thaçi ka thënë se këto tema janë diskutuar nga dy e tre herë në Bruksel dhe se janë të përmbyllura.

“Asociacioni është punë e kryer. Është nënshkruar para gati 10 vjetësh dhe ne e kemi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Çdo rinegociim i këtyre temave është dobësim i shtetit të Kosovës dhe avancim i Serbisë. Takimi nuk do të duhej të mbahej fare”, ka thënë ai, shkruan Ballkani.info.

Sipas tij, takimi i së enjtes në Bruksel është i rrezikshëm për Kosovën dhe është agjendë e Serbisë.

Me këtë, presidenti i ka dërguar porosi të qartë kryeministri Avdullah Hoti dhe koordinatorit Skënder Hyseni lidhur me këtë takim që është paralajmëruar të mbahet të enjten në Bruksel. /Ballkani.info/