Thaçi: Me Sali Berishën duhet të merren një kolegjium i mjekëve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se është humbje e kohës për të merret me Sali Berishën, duke e quajtur si “gërmadhë të historisë”.

Thaçi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se nuk ka çfarë të shtojë nga akuzat që ka bërë ndaj Sali Berishës.

“Kemi pasur një kohë një bashkëpunim si kryeministra dhe natyrisht se kemi bërë komplimente ndaj njëri tjetrit, por në ndërkohë pas mesazheve që ai ka drejtuar në drejtim timin unë sinqerisht ndjejë keqardhje për gjendjen e tij morale dhe politike që ka përfunduar si një gërmadhë e tillë”.

“Për shoqërinë shqiptare ai është bërë njeriu përçarës dhe i pabesë i skenës politike shqiptare dhe ka përfunduar në anën e kundërt të historisë. Për mua definitivisht nga ajo që e shoh, ai kërkon një trajtim nga një kolegjium i mjekëve”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Presidenti i Kosovës thotë se Sali Berisha dhe Pavarësia e Kosovës janë në anë të kundërta të historisë shqiptare.

“Berisha dëshiron të qëndroj në skenën politike duke u marrë me mua…Ai ka quajtur edhe UÇK-në si terroriste…Urrejtjen ndaj reformatorit Rama, Berisha mund ta shpreh në Tiranë por jo të merret me mua për të qëndruar në politikë”, tha ndër të tjera Hashim Thaçi.