Thaçi: Me punën dinamike të Trump dhe Grenell, besoj se Serbia do ta njohë Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një adresim para mediave ka thënë se Kosova gjendet në një situatë të favorshme për të fuqizuar partneritetin me SHBA-të dhe për të synuar anëtarësimin në NATO dhe organizatat tjera ndërkombëtare. 

Thaçi ka thënë se pengesat për dialog tashmë janë hequr dhe se përgjegjësia tashmë bie mbi Serbinë.

“Ne asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë dilemë më mbështetjen e SHBA-së, kjo dilemë nuk duhet të vihet në pikëpyetje kurrë nga askush. Ka qenë një vendim i pritur i SHBA-ve dërgimi i trupave. Unë nuk mund të flas për ditë, javë apo muaj, shpresoj se do të ndodhë  në të ardhmen e afërt. Tashmë Serbia nuk e ka më asnjë pretekst dhe tërë përgjegjësia i bie asaj”, u shpreh Thaçi.

Thaçi tha se shpreson që nën drejtimin e administratës Trump dhe rolin e ambasadorit Grenell Kosova dhe Serbia do të arrijnë një marrëveshje që në thelb do të ketë njohjen reciproke.

“Besoj se në drejtim të administratës së Amerikës të udhëhequr nga presidenti Trump dhe rolin dinamik të ambasadorit Grenell gjërat do të lëvizin drejt një procesi produktiv të dialogut dhe të ndonjë marrëveshje eventuale që sjell njohjen reciproke të vendeve pra Kosovë-Serbi”, shtoi ai.