Presidenti i Kosovës

Thaçi: Ligës e Basketbollit Shqipëri-Kosovë, një ëndërr shumëvjeçare

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke komentuar nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit për themelimin e Ligës Unike të Basketbollit Shqipëri-Kosovë, ka thënë se është një hap i natyrshëm dhe i shumëpritur.

Përndryshe, në Tiranë është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit për themelimin e Ligës Unike të Basketbollit Shqipëri-Kosovë.

Marrëveshja u nënshkrua nga kryetarët e federatave përkatëse të basketbollit të Kosovës dhe Shqipërisë, Arben Fetahu, kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës, përkatësisht Avni Ponari, kryetar i Federatës Shqiptare të Basketbollit.

Marrëveshja u nënshkrua në praninë e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Vlora Dumoshi, ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë, Besa Shahini, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, Valdete Bajrami dhe kryetarit të FIBA Europe, Turgay Demirel.

Liga Unike në basketboll është i pari sport në mes dy vendeve që krijon një ligë të përbashkët të kësaj natyre. Kjo ligë ka për qëllim realizimin e idesë së kahmotshme për zhvillimin e aktiviteteve garuese të klubeve të të dyjave vendeve. Kalendari garues i kësaj lige do të zhvillohet krahas ligave kombëtare.