Thaçi kujton doktorin e orëve të para të UÇK-së, Hafir Shala: Ende s’dihet për fatin e tij

Presidenti Hashim Thaçi, ka kujtuar doktorin e orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hafir Shala.

Thaçi përmes një postimi në Facebook ka shkruar se doktori Shala tërë kapacitetin intelektual dhe shpirtin humanitare vuri në shërbim të popullit, si mjek, në periudhën kur shëndetësia e Kosovës u largua nga institucionet.

Postimi i tij:

Doktori i orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, HAFIR SHALA është i munguar që 22 vjet.

Tërë kapacitetin intelektual dhe shpirtin humanitar, dr. Hafir Shala e vuri në shërbim të popullit, si mjek, në periudhën kur shëndetësia e Kosovës u largua nga institucionet.

Me daljen publike të UÇK-së, dr. Hafir Shala me guxim qytetar dhe përgjegjësi atdhetare ishte aty ku duhej, pranë luftëtarëve të lirisë, duke i shëruar dhe inkurajuar.

Duke qenë në krye të misionit të tij profesional dhe patriotik, dr. Hafir Shala u kidnapua nga strukturat e sigurisë serbe në prill 1998, në rrugë e sipër për të siguruar barnat e domosdoshme për ushtarët e plagosur.

Për fat të keq ende nuk dihet për fatin e mjekut, ish të burgosurit politik të viteve tetëdhjetë të shekullit që shkoi.

Mungesa e dr. Hafir Shalës është plagë e thellë për familjen e tij dhe shoqërinë tonë, ashtu si mungesa e shumë personave të zhdukur nga shërbimi sekret serb dhe segmente tjera të policisë dhe ushtrisë serbe.

Liria dhe pavarësia e Kosovës qëndron mbi gjakun e shumë dëshmorëve, martirëve dhe qytetarëve tanë.

Emri i doktor Hafir Shalës hyn në radhën e emrave që i bëjnë nder të veçantë kategorisë së të burgosurve politikë dhe mantelbardhëve që u angazhuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. HTH