Thaçi kujton Betejën e Koshares: Ishte një triumf ushtarak i pastër

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka kujtuar Betejën e Koshares, i cili thotë se ajo ishte një triumf ushtarak i pastër dhe mesazh i qartë për popullatën e dëbuar nga Kosova, se së shpejti të zhvendosurit do të ktheheshin në vatrat e tyre.

“Beteja e Koshares, 21 vjet më parë, ishte vetëm faza e parë e operacionit “Shigjeta”. Kjo betejë e lavdishme rriti vetëbesimin e sprovuar të UÇK-së, duke bërë që për herë të parë të thyhej me forcë kufiri ndarës ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ku ushtria serbe pësoi disfatë të madhe”.

“Beteja e Koshares ishte një triumf ushtarak i pastër dhe mesazh i qartë për popullatën e dëbuar nga Kosova, se së shpejti të zhvendosurit do të ktheheshin në vatrat e tyre. Ndërsa, thyerja e kufirit ishte mesazh se furnizimi me armatim për zonat e thella brenda Kosovës ishte i mundshëm edhe në atë kohë. Nderime përjetë të gjithë dëshmorëve të kësaj beteje të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.