Këshilli i Sigurimit

Thaçi – Kombeve të Bashkuara: Ju ishit zëri ynë në momentet më të rënda për ne

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, fillimisht ka lavdëruar punën e kësaj organizate shumë kombëshe, duke thënë se “kurrë nuk do të harroj që në ditët më të rënda për mua dhe qytetarët e Kosovës, nga ky forum jehuan zëra shprese dhe thirrje për paqe. Unë dhe populli im kurrë nuk do të harrojmë se kur po përballeshim me momentet më të rënda për ne, ju u shndërruat në zërin tonë”.

Presidenti Thaçi u ka thënë shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara se falë tyre u mësua për dhunën sistematike, spastrimin etnik, mijëra qytetarë të pafajshëm që sot nuk janë më në mesin tonë, mijëra që ende janë të zhdukur, dhe për mbi 20.000 gra që ende jetojnë me dhimbjen dhe stigmën e dhunës seksuale të përjetuar gjatë luftës, nga Serbia.

“Ju ishit zëri ynë, kur ne na mungonte një i tillë. Por, ne sot ndodhemi këtu 2 dekada pas luftës së përgjakshme dhe mbi 10 vite pas pavarësisë së Kosovës. Jemi të thirrur në një seancë të jashtëzakonshme në kohën e një situate krejt normale dhe progresi substancial në Kosovë. Kur angazhimi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë kërkon rishqyrtim serioz dhe vëmendja e juaj është e nevojshme për të adresuar probleme te vërteta me të cilat përballet bota sot”, ka thënë Thaçi.