Thaçi jep arsye të forta se pse Kosova refuzoi të jetë pjesë e Samitit të Ohrit për “Mini Shengenin” ballkanik

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dhënë disa arsye se pse Kosova refuzoi të jetë pjesë e takimit të ashtuquajturit Samit i Ohrit, i cili ka nisur sonte dhe ku po marrin pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Ky është Samiti i dytë pas atij të parit që u mbajt në Novi Sad dhe njihet si iniciativë për njëfar “Mini Shengeni” Ballkanik. Në Ohër, sikur edhe në Novi Sad po marrin pjesë Edi Rama, Aleksandar Vuçiq dhe Zoran Zaev, shkruan Ballkani.info.

Arsyetimet e dhëna nga Thaçi për mospjesëmarrjen e Kosovës në këtë Samit:

Si President i Republikes së Kosovës, dua të informoj qytetarët se, kam refuzuar pjesëmarrjen time në Samitin e Ohrit. Ky vendim për mospjesëmarrje bazohet në disa argumente ekzistuese.

Së pari, Kosova, qëllimshëm ishte anashkaluar nga Serbia në Samitin e Parë të kësaj iniciative të re rajonale. Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale.

Dhe, së treti, kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave.

Por, Kosova nuk mund të jetë pjesë e një Samiti të tillë në te cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavaruar.

Ne jemi të përkushtuar që të tejkalojmë pengesat aktuale nëpërmjet dialogut dhe marrëveshjes për njohje reciproke. Vetëm atëherë kur të ndodhë një gjë e tillë, ne do të bëhemi pjesë e iniciativave të tilla rajonale si shtete të barabarta. HTH

loading…