Thaçi ishte intervistuar për herë të parë nga Gjykata Speciale më 12 dhjetor të vitit 2019

Disa ditë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar e kishte ftuar për intervistim presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ai i kishte dërguar letër Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, e cila ishte cilësuar si tentativë për ta penguar punën e Speciales.

Në dokumentin e ZPS-së, që i është bashkangjitur kërkesës për paraburgim për Thaçin dhe tre ish-eprorët e UÇK-së, të arrestuar për krime lufte, dy javë me parë nga Specialja, shkruhet që ish-presidenti kishte pranuar ftesën për intervistim në nëntorin e 2019-s

“Thaçit më të vërtetë i është dërguar ftesa e ZPS-së më 17 nëntor të vitit 2019 dhe u paraqit për herë të parë në Hagë për intervistim më 12 dhjetor të vitit 2019”, thuhet në dokumentin e ZPS-së.

Letra që Thaçi ia kishte drejtuar Pompeot mban datë 29 nëntor 2019.

Ish-presidenti e kishte mbajtur të fshehtë këtë ftesë. Deklaratat e tij që nuk është intervistuar deri në korrikun e vitit 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka cilësuar gënjeshtra, shkruan koha.

Më 2019, Thaçi kishte lobuar për “reformimin” e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe pohoi se Qeveria e Kosovës është ajo që duhet të vendosë për “mandatin, veprimin dhe vendndodhjen gjeografike” të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Thaçi, që nga ajo kohë, ka gënjyer publikisht rreth përmasave të përfshirjes së tij personale me ZPS-në.

Në anekset që i janë bashkangjitur kërkesës për paraburgim të ZPS-së, për gjyqtarin e procedurës paraprake, janë të bashkangjitura deklarata e tij publike, ku mohonte intervitimin nga Specialja, edhe pasi një gjë e tillë pati ndodhur.

Si provë, Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka bashkangjitur edhe letrën e thaçit për Pompeon.

Aneksi 2 i kërkesës për paraburgim të ZPS-së në 10 faqe përmban poashtu statuset publike në Facebook të ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, për punën e Gjykatës Speciale.

Në anekse që i janë bashkangjitur kërkesës për urdhërarrest nuk përmenden Kadri Veseli e Rexhep Selimi.

Pjesë e shkresave që i janë dorëzuar nga ZPS-ja gjyqtarit të Procedurës Paraprake për ta bindur të lëshojë urdhërarrestin është edhe deklarata e një hetuesi të Speciales.

Në këtë deklaratë, pjesa e konsiderueshme e së cilës është e redaktuar, ky hetues i Speciales ka folur për frikën e dëshmitarëve për të dëshmuar kundër UÇK-së.

Shumë dëshmitarë refuzuan të bashkëpunojnë me ZPS-në, duke përmendur frikën – përfshirë frikën nga dhuna dhe ndërhyrja prej ish-anëtarëve të UÇK-së – si arsye kryesore.

Mbrojtja e Thaçit, Veselit, Krasniqit, e Selimit, në seancat fillestare të mbajtura tashmë, ka paralajmëruar së do të paraqesë mocione për të kundërshtuar masën e paraburgimit për katër ish-eprorët e UÇK-së, të akuzuar për krime lufte.