Presidenti i Kosovës

Thaçi ironizon me LDK e VV: Jam ndjerë i vetmuar në bërjen e Ushtrisë, në fund m’u bashkuan të gjithë

Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi ka mbajtur fjalimin vjetor para Kuvendit të Kosovës.

Thaçi, para deputetëve, foli për shumë suksese që ai thotë se i ka arritur Kosova.

Presidenti tha se është ndjerë i lumtur për shndërrimin e FSK-së në Ushtri, për të cilën gjë tha se është angazhuar shumë porse është ndjerë i vetmuar për shumë vite.

“Shpesh jam ndjerë i vetmuar në angazhimin për themelimin e ushtrisë së Kosovës. Për në fund, jam i lumtur, që të gjithë u bënë bashkë për themelimin e Ushtrisë së Kosovës. Ushtarët e FSK-së e kanë merituar këtë ndryshim. FSK do të vazhdojë të mbetet forcë profesionale”, tha ai.

Ai tha se viti 2018 ishte vit jubilar, kur u shënuar dekada e parë të shtetit të Kosovës.

“Nga një vend i shkatërruar, nga gjenocidi i Serbisë, jemi ngritur në një shtet të pavarur e sovran, me zhvillimin më të shpejtë ekonomik në rajon, me legjislacionin më të mirë në rajon, me susksese në shëndetësi e arsimit, në shkencë e art, sport e kulturë”, theksoi Presidenti.

Një falendërim të sërishëm, Thaçi e ka pasur edhe për votimin e demarkacionit, gjë që, sipas tij, ka evituar themelimin e Asociacionit të Komuanve Serbe.

“Dëshiroj t’ju falënderoj juve deputetë, zoti kryetar, zoti Haradinaj që votuat demarkacionin me Malin e Zi dhe evituat themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe me elemente ekzekutive. Për një gjë të tillë siguroj se nuk do të ndodh”, tha ai.

Ndërsa, tha se në Kosovë ka vend edhe për qeverisje më të mirë, për ta përmirësuar kualitetin e jetës së qytetarëve.

“Kosova ka nevojë për një qeverisje më efektive, me qenë edhe më afër qytetarit. Me kriju kushte për jetë më të mirë. Në këtë drejtim duhet të angazhohemi të gjithë. Çdo punë e mirë do ta ketë përkrahjen time si president”, tha ai.