Thaçi: Heshtja ndërkombëtare po i amniston masakrat e Serbisë në Kosovë

Presidenti Hashim Thaçi, në shenjë nderimi për të burgosurit shqiptarë të vrarë para 21 vjetësh, ka vizituar gjatë ditës Burgun e Dubravës në Komunën e Istogut.

Ai ka thënë se masakra në Dubravë është ndër masakrat më çnjerëzore që ka kryer Serbia në Kosovë.

Thaçi tutje ka thënë se përmes heshtjes, ndërkombëtarët po vazhdojnë t’i amnistojnë krimet që Serbia ka kryer në Kosovë.

“Kjo është një nga masakrat më çnjerëzore që ka kryer Serbia ndaj shqiptarëve. Ajo ka ushtruar gjenocid ndaj popullatës shqiptare. Si shtet i Kosovës do të vazhdojmë të punojmë që drejtësia të ngadhënjejë por shprehim shqetësimin për një lloj amnistie nga heshtja ndërkombëtare ndaj kësaj masakre por edhe masakrave tjera”, ka thënë ai.

Thaçi ka shtuar se Serbia herët apo vonë do të ballafaqohet me masakrat që i ka kryer në Kosovë.

21 vjet më parë në Burgun e Dubravës ka filluar të kryhet njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i Milosheviqit. Brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë. Masakra e Burgut të Dubravës është kryer prej datës 19 deri më 24 maj 1999. Ende për këtë masakër nuk është dënuar askush.