Presidenti

Thaçi grupit ‘kriminal’ të Kurtit: Ju duhet të jepni pëgjegjësi për shtytje të studentit në vetëvrasje

Presidenti Hashim Thaçi thotë se grupi qeveritar në krye me kryeministrin Albin Kurti duhet të japë përgjegjësi “për shtytje në vetëvrasje” të studentit Agon Musliu, që po qëndronte në karantinë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Thaçi ka thënë se Kurti duhet të japë përgjegjësi edhe për rrezikimin e jetës së deputetit Behgjet Pacolli.

“Unë mendoj se Grupi i Kurtit, Sveçlës dhe Vitisë duhet të sqarojë çështjen e rrezikut të jetës që i kanosej zoti Pacolli gjatë fluturimit të tij në Prishtinë dhe pse ka devijuar zoti Pacolli në drejtim të Tiranës, sikurse ka përgjegjësi morale dhe ligjore të japin grupi i Kurtit, Vitia dhe gjithashtu Svecla për shtytjen në vetëvrasje të studentit nga konviktet në Prishtinë si dhe seleksionimin politik të njerëzve se kush karantinohet e kush jo”, tha Thaçi.

“Ata duhet të përgjigjen sa më shpejt aq më mirë, në anën tjetër ju e dini se vendimet e Qeverisë janë shpallur antikushtetuese”, shtoi Presidenti.