Thaçi ‘godet’ bajraktarët e taksës: Morën yrysh pas propozimit të një këshilltari

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë një interviste për Radio Televizionin e Kosovës ka folur rreth këmbënguljes së Qeverisë për taksën.

I pyetur rreth kërkesës zyrtare të SHBA-së për pezullimin e taksës, Thaçi ka thënë se nuk ka asnjë person që guxon të rrezikojë marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në, qoftë kjo edhe për pozita të tyre.

Thaçi e ka quajtur vendimin e taksës, vendim incidental.

“Propozimi për taksën ka ardhur nga një këshilltar i jashtëm, pastaj këta yrysh që të marrin vendim. E quaj vendim incidental pasi ashtu ka qenë, është vendim i pamenduar dhe nuk është bërë ndonjë analizë konkrete”, ka thënë Thaçi, përcjell Ballkani.info.

Thaçi ka thënë se momentalisht gjendemi në paradoks, pasi që populli i Kosovës njihet si populli më pro amerikan në botë, ndërsa tani kemi zgjedhur të mos t’i dëgjojmë sugjerimet e SHBA-së.

Presidenti ka theksuar edhe njëherë se beson që populli i Kosovës i do më shumë SHBA-të, sesa një dëm ndaj shtetit serb. /Ballkani.info