Thaçi e Vuçiq fotografohen në Stamboll krah Erdoganit dhe liderëve tjerë (FOTO)

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po qëndron me ftesë të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në hapjen solemne të aeroportit të ri të Stambollit.

Në këtë ceremoni po marrin pjesë edhe presidentët tjerë të rajonit, Ilir Meta i Shqipërisë, Gjorgje Ivanov i Maqedonisë, Aleksandar Vuçiq i Serbisë, etj.

Thaçi, Meta, Vuçiq… janë tre nga shumë liderë botërorë, të cilët morën festën në inaugurimin e hapjen e aeroportit gjigant në Stamboll, shkruan Ballkani.info.

Thaçi e Vuçiq shihen të jenë fotografuar krah liderëve të tjerë në këtë ngjarje.

Sipas të dhënave të mediave turke, në ceremoninë e hapjes do të marrin pjesë të ftuar të shumtë të huaj, në mesin e të cilëve gjenden edhe krerë shtetesh dhe qeverish, si dhe ministra të transportit. Deri më tani, siç njoftohet, mbi 50 zyrtarë të lartë kanë konfirmuar pjesëmarrjen, ndërkohë që ceremonia do të ndiqet në mbarë botën.

Aeroporti është ndërtuar në një hapësirë prej 76.5 milionë metra katrorë, ndërsa për hapjen e fazës së parë janë investuar gjashtë miliardë euro.

Ndërkaq, faza e dytë pritet të përfundojë deri në vitin 2023. Për ndërtimin e aeroportit, i cili do të jetë më i madhi në botë, janë angazhuar rreth dhjetë mijë punëtorë.

Pas përfundimit të punimeve, aeroporti do të përbëhet nga gjashtë pista të ndara me një kapacitet për 500 avionë, parking të hapur dhe të mbyllur me kapacitet për 70 mijë automjete dhe në vit do t’u shërbejë 200 milionë pasagjerëve. /Ballkani.info/