“Thaçi e Mustafa ishin turistë në UÇK”, Remi i kundërpërgjigjet Haradinajt për deklaratën “befasuese”

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa ka reaguar pasi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi mbrëmë se ai dhe ish-presidenti Hashim Thaçi, kanë qenë “turistë” në UÇK.

“Remi” iu kundërpërgjigj Haradinajt në mënyrë indirekte dhe duke mos ia përmendur emrin, në një postim në Facebook.

Ish-deputeti i PDK-së shkroi se “atë që e bën njeriu për pak vëmendje, nuk e bënë dot asnjëra nga gjallesat për mbijetesë”.

“Atë që e bënë njeriu për pak vëmendje nuk e bënë dot asnjëra nga gjallesat për mbijetesë!”, ka deklaruar Mustafa.

Haradinaj ka thënë dje se ish-presidenti Thaçi dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa -Remi kanë qenë “turistë” në UÇK.

“Zoti Thaçi turist është, më falni në shprehje. Turist është, ai ka qëndru në Drenicë, ai ka qëndru në Rogner, ka qëndru diku tjetër. Zoti Rrustem Mustafa turist është. Ka luftuar tri javë Remi në Llap. Ose tjetri ose tjetri, turistë janë në UÇK, o djem. E kanë bërë të përkohshëm, përkohësisht hyrë e dil. Nuk jam duke ju fol pahiri, por po ju fol dikush i cili që nga data 24 mars 1998, shkoni le t’i marrin hetuesit e Kosovës, prokurorët, le t’i hyjnë rend Dukagjinit, le t’i pyesin katun për katun: A jeni kanë në luftë, sa vet jeni kanë, kur ja keni nis, çka ka ndodhë me ju?”, tha ai në Tëvë1.