Presidenti Thaçi, para takimit në Bruksel, ka thënë se është atje për të zhvilluar takimin e radhës të procesit final për mundësitë e arritjes së marrëveshjes në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshje kjo, sipas Thaçit, ligjërisht obliguese për njëra-tjetrën në rrafshin ndërkombëtar.

“Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila nënkupton njohjen reciproke dhe mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. E di se nuk do të jetë e lehtë, përkundrazi, ka vështirësi, ka pengesa, ka ballafaqime, por arritja e marrëveshjes është mundësia më e mirë për të lëvizur përpara drejt perspektivës evropiane të dy vendet dhe popujt tanë. Prandaj, do bëjmë të gjitha përpjekjet, përpjekje maksimale, që të përafrojmë qëndrimet në interesin e arritjes së marrëveshjes”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, kjo është një mundësi e radhës e organizuar dhe udhëhequr nga Mogherini dhe Bashkimi Evropian, me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Prandaj, edhe synimi i Kosovës është që të ndërtojë fqinjësi të mirë me të gjitha vendet, në kuadër të kësaj edhe me Serbinë, në mënyrë që të lëvizim drejt NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të hapim perspektivën globale për shtetin e Kosovës”, ka thënë ai.