Thaçi dekoron Komandantin e KFOR-it, në përfundim të mandatit në Kosovë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim Komandantin e KFOR-it, Salvatore Cuoci, i cili është në përfundim të mandatit të tij.

Thaçi ka shfrytëzuar rastin ta dekorojë Komandantin e KFOR-it me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë, duke e falenderuar për kontributin e tij në vendin tonë, përcjell Ballkani.info.

Postimi i plotë:

Me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë, sot e dekorova komandantin e KFOR-it, Salvatore Cuoci, i cili po e përfundon mandatin e tij. Si komandant i KFOR-it, gjeneralmajori Cuoci e ka udhëhequr KFOR-in me profesionalizëm të një ushtaraku superior, duke qenë shumë i vëmendshëm për zhvillimet në Kosovë dhe rajon. Ai është angazhuar për ta hapur edhe më shumë qiellin e Kosovës për aviacionin civil dhe e ka thelluar edhe më shumë bashkëpunimin me Forcën e Sigurisë së Kosovës, në këtë fazë të rëndësishme kur po bëhet gati që të transformohet në ushtri të Kosovës. HTH