Thaçi biznesmenëve kosovarë: Arritjet e juaja, arritje edhe të Kosovës!

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me anë të një postimi në FB, ka bërë me dije se pasur takim me Klubin e Bizneseve në Dusseldorf.

Ai thotë se është krenar me punën dhe sukseset e ndërmarrësve tanë nëpër botë, derisa shton se bashkë me diasporën, mund t’i jetësojmë idealet e përbashkëta për forcimin e shtetit të Kosovës, ekonomisë, bujqësisë dhe kulturës sonë, duke e transformuar dhe modernizuar shoqërinë tonë.

Ky është postimi i plotë i Thaçit:

“Në Klubin e Bizneseve në Düsseldorf takova shumë bashkëkombës tanë, përfaqësues të bizneseve në Gjermani. Jam jashtëzakonisht krenar me punën dhe sukseset e ndërmarrësve tanë gjithandej nëpër botë.

Tash e disa dekada ata kanë dhënë gjithçka për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin në Kosovë. Ne, bashkë me diasporën, mund t’i jetësojmë idealet e përbashkëta për forcimin e shtetit të Kosovës, ekonomisë, bujqësisë dhe kulturës sonë, duke e transformuar dhe modernizuar shoqërinë tonë. Diaspora këtu janë imazhi i gjallë i Kosovës në Gjermani. Krenar me arritjet e tyre, të cilat janë arritje edhe të Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.