Tezakja e presidentes drejtoreshë në ministrinë e Pecit: Në vlerësimin e britanikëve s’e kaloi as pragun

Venera Çerkini, vajza e tezes së presidentes Vjosa Osmani, është rehatuar në një pozitë të rëndësishme. Ajo është përzgjedhur si Drejtoreshë e Agjencionit për Zhvillim të Bujqësisë, institucion në kuadër të ministrisë që drejtohet nga Faton Peci. Dikur, bashkëpartiak me Osmanin në listën Guxo.

Megjithatë, emërimi i Çerkinit në këtë pozicion, po del se është në shpërputhje të madhe me vlerësimin që e kanë bërë britanikët në këtë konkurs. Kjo pasi në vlerësimin e ekspertëve të Ambasadës së Britanisë në Kosovë, Çerkini nuk është as në listën e ngushtë të kandidatëve që do të duhej të zgjidheshin në këtë pozitë.

Në vlerësimin e bërë nga britanikët të cilin e ka parë gazeta Nacionale, shihet se dy kandidatët që mund të emërohen në këtë pozitë, e të cilët kishin marrë mbi 70% të pikëve ishin Menderes Ibra dhe Muzafer Luma.

Mendres Ibra është vlerësuar me 70.25% të vlerësimit, kurse Muzafer Luma me 70%. Në mesin e të vlerësuarve nga britanikët nuk është as Lebibe Haliti, motra e deputetit të Vetëvendosjes, Enver Haliti. Haliti në anën tjetër, nga rezultat e shpallura nga konkursi del në mesin e 3 kandidatëve më të vlerësuar

Pra, tezakja e presidentes së Kosovës, në vlerësimin e britanikëve, nuk është në mesin e kandidatëve që do të duhej të zgjedheshin në pozitën e Drejtorit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Në sqarimet që jepen nga Ambasada e Britanisë në Kosovë në sqarimet e përgjithshme për konkurset që monitorojnë, thuhet se ata prezantojnë vetëm kandidatt me rezultat më të lartë. Që në këtë rast, Çerkini duket se nuk e ka kaluar këtë nivel.

“Vetëm kandidatët me rezultatin më të lartë janë paraqitur këtu. Kandidatë të tjerë mund të jenë vlerësuar në kuadër të procesit, por nga Partnerët Zbatues janë vlerësuar më ulët sesa kandidatët tjerë”, thuhet në sqarimet e britanikëve.

Vlerësimi nga britanikët në konkurset e pozitave të larta, bëhet si rezultat i një Memorandumi që ka Ambasada e Britanisë me Qeverinë e Kosovës.

Anëtarë të Komisionit në këtë konkurs ishin: Naim Gashi, Edi Gusia, Bedri Xhafa, Safet Fazliu dhe Anita Kalanderi.