Ish zëvendesministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës Teuta Sahatçija ka reaguar pas skandalit me vendosjen e flamurit të BE në takim me të dërguarin e posaçëm të SHBA për Balllkanin Mattew Palmer.

Ajo ka thënë se në ministrinë e Punëve të Jashtme ka diplomatë karriere që janë të shkëlqyer dhe kanë përvojë në diplomaci , andej i ka kërkuar Donika Gërvalles që para takimeve me zyrtarë të lartë të SHBA dhe BE të konsultohet me ta për detaje.

Reagimi i plotë:

Ministria e Punēve të Jashtme ka diplomat kariere që kanë shërbyer në vende të ndryshme dhe kanë përvojë të shkëlqyeshme në diplomaci. Aty janë drejtorët me titull Ambasadori, janë diplomat që për shumë vite kanë udhëhequr Misionet Diplomatike të Kosovës pa asnjë skandal. Është një thesar i vërtetë diplomatik në zyret afër atyre të Ministres.
Po të ishin konsultuar këta diplomat, jam e bindur se asnjeri nuk kish lejuar të bëhen huqjet diplomatike që tashmë po janë të vazhdueshme sa fatkeqësisht as nuk po bëjnë më përshtypje të madhe.
Diplomacia është shkence, edhe më shumë është art ku secili detaj ka kuptim, secila fjalë përçon mesazh, vendosja apo mosvendosja e simboleve tregon mysafirit se ku e ka vendin në atë dhomë. Diplomatët e huaj e kanë syrin e ushtruar për të “lexuar” mesazhet diplomatike. Vendet mike mund të mbyllin një sy e të mos reagojnë. Por kjo nuk kalon pa u vërejtë e pa u raportu tek shefat e tyre.
Ju lutem Ministre që për hir të shtetit të konsultoni diplomatët që i keni në ndërtesë, të kërkoni mendimin e tyre për fjalime, për paraqitje, për simbole, për mesazhe, për tëeet-a. Ju do të kurseheni prej reagimeve negative deri në ato qesharake ndërsa Kosova do të paraqitet në mënyrë të dinjitetshme.