Tetë të plagosur pas të shtënave me armë zjarri në Jerusalem

Tetë persona janë plagosur pasi një person i armatosur ka hapur zjarr drejt një autobusi në Jerusalem, mëngjesin e së dielës.

Sipas raportimit të mediave, një burrë dhe një grua shtatzënë janë në gjendje kritike.

Raportohet se gruaja ka lëndime në pjesën abdominale, ndërkaq burri ka plagë në kokë dhe qafë.

Autoritetet izraelite supozojnë se sulmi i armatosur mund të jetë kryer nga palestinezët, shkruan The Washington Post.

Të shtënat ndodhën derisa autobusi priste në një parking pranë Murit Perëndimor (Western Wall), i cili konsiderohet vendi më i shenjtë ku hebrenjtë mund të luten.

Sulmi në Jerusalem ndodhi pas një javë të tensionuar mes Izraelit dhe palestinezëve në Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Fundjavën e kaluar, avionët izraelitë kryen një ofensivë në Rripin e Gazës duke synuar grupin militant Xhihadi Islamik dhe duke nisur tre ditë luftime të ashpra ndërkufitare.