Testi i maturës| Asnjë nxënës nuk arriti t’i marrë 100 pikë

Nga rreth 22 mijë maturantë që iu nënshtruan provimit të maturës asnjë nxënës nuk ka arritur që t’i marrë 100 pikë.

Kështu tha Fatmir Elezi, shef i Divizionit për Standard, Monitorim dhe Vlerësim në Ministrinë e Arsimit.

Elezi tha se vetëm një nxënës ka arritur të marrë 95 pikë derisa 77 i kanë mbi 90 pikë.

“Kemi rast me 95 pikë, ndërkaq vetëm 0.4 për qind e nxënësve i kanë mbi 90 pikë, ose 77 nxënës janë mbi 90 pikë. Janë mbi 22 mijë maturantë”, tha Elezi në Radio Klan Kosova FM.

Ai theksoi se për rreth 6 mijë maturantët që nuk kanë arritur ta kalojnë provimin e maturës në afatin e parë do t’i nënshtrohen në afatin e dytë në muajin gusht.

Për të kaluar me sukses testin e maturës nga 100 pyetje një nxënës duhet t’i ketë 40 për qind prej tyre të sakta.

Ndërkohë, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci sot u shpreh se MASHTI shënoi performancë shumë më të mirë se viteve tjera.