Testet rapide në Prishtinë, 30% e të testuarve rezultojnë pozitiv

Një numër i madh i qytetarëve të kryeqytetit kanë kërkuar që të kryenin testet rapide në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen “Emshir”.

Doktori Nezir Metolli tha se procesi i testimeve të shpejta me gjithë kërkesat e mëdha po shkon mirë.

“Në përgjithësi procesi i testimit rapid po ecën shumë mirë dhe në rregull. Kërkesat janë shumë të mëdha, por procesi po shkon mirë. Dhe po arrijmë t’i përfundojmë të gjitha”, është shprehur ai.

Sipas Mehollit prej fillimit të këtij procesi janë kryer gjithsej 2.000 testime.

Kurse Meholli tregon se mesatarja e testimeve të kryera brenda një dite është 150 nga të cilat 30 për qind rezultojnë pozitivë.

“Nga 23 dhjetori e deri tani janë kryer përafërsisht 2.000 testime. Brenda ditës kemi një numër që varion prej 100-150 pacientë. Ka ndodhur edhe më tepër. Kurse nën 100 raste nuk ka ndodhur asnjëherë. Përqindja e rasteve pozitive është diku 30 për qind”, ka shtuar ai. Aktualisht Meholli nuk paraqet ndonjë veshtësi që po e përcjell këtë proces.“Jo, deri tashti nuk kemi pasur ndonjë vështirësi në proces”, ka përfunduar ai.

Ndryshe me këtë test qytetarët rezultatin e marrin 20 minuta pas testimit. Kurse edhe për testet serologjike, qytetarët që kanë simptoma duhet të pajisen me udhëzim nga mjeku familjar në qendrën më të afërt.