Kompania

“Tesla” s’është kompania e vetme fillestare që po e ndërron auto-industrinë

Për shumicën e periudhës në shekullin e shkuar, industria e automobilizmit ka qenë e njohur më shumë për shuarje të kompanive, sesa për kompani fillestare.

Brendet si “Saab”, “Pontiac” dhe “Plymouth” ishin zhdukur dhe askush s’ua zinte vendin. Por hyrja në treg e automobilave elektrikë ka sjellë një shans të rrallë për kompanitë e reja që t’i sfidojnë kompanitë e kamotshme.

“Tesla” ka dëshmuar se kjo gjë është e mundshme.

E themeluar më 2003, kompania ka frikësuar edhe gjigantët si “BMW” e “Mercedes”, duke tejkaluar me shitje disa prej modeleve më të famshme të tyre. Një tjetër grup i kompanive të reja, kryesisht me bazë në Kaliforni dhe në Kinë, po përpiqen të ndjekin rrugën e “Tesla”-s dhe të përfitojnë nga ecja e ngadalshme e kompanive tradicionale në zhvillimin e veturave me bateri.

Pengesat për këto kompani të reja janë më të vogla se që ishin dekada më herët. Veturat elektrike janë më lehtë për t’u dizajnuar dhe për t’u ndërtuar, në krahasim me automobilat me djegie të brendshme, sepse kanë më pak pjesë lëvizëse. Megjithatë, në përgjithësi, prodhimi i një automobili është i vështirë dhe i shtrenjtë. S’ka dyshime që disa prej kompanive të reja do të dështojnë. Disa madje janë dorëzuar menjëherë. “Dyson” tashmë ka anuluar ëndrrat për veturën elektrike në tetor.

Por disa kompani të reja mund të kenë ndikim, sidomos ato me stile të reja dizajni, avantazhe teknologjike ose me përkrahje të mëdha, sikur ajo nga Qeveria e Kinës. E “NYTimes” ka përzgjedhur disa nga sfiduesit e rinj.

“Byton”

Kina po përpiqet të përdorë transicionin drejt automobilave elektrikë për t’u bërë eksportues i madh i automobilave, si pjesë e planit të Qeverisë. Një përfitues është “Bytoni”, që planifikon të nisë prodhimin e madh të një SUV-i elektrik në një fabrikë në Nanjing vitin e ardhshëm. Automobilat do të dalin në shitje në Evropë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës kah fundi i 2021-s.

“Qeveria i sheh automobilat elektrikë si shans për të luajtur në nivel global”, ka thënë Daniel Kirchert, ish-zyrtar i “BMW-së”, e që themeloi “Bytonin” me ndihmat financiare nga Qeveria. Ai shtoi se “nuk jemi kompani shtetërore, por në të vërtetë një ‘start-up”.