Termokos pa nxemje, fajëson përsëri KEDS-in

Një pjesë e Prishtinës ka mbetur që dy ditë pa ngrohje, si shkak i problemeve brenda Termokosit.

Zëdhënësja e Termokosit, Afërdita Uka në një prononcim për Ballkani.info, tha se problemi kryesor po qëndron tek ndërprerja e energjisë elektrike, ku sipas saj ka shkaktuar dëme në sistemin e ngrohjes qendrore.

Uka ka theksuar se ekipa e tyre është duke puuar intensivisht prej orëve të mëngjesit.

“Siç edhe kemi njoftuar, gjatë ditës së djeshme ka pasur problem me furnizimin me ngrohje, për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike, gjë që ka shkaktuar dëme të caktuara në sistemin e ngrohjes qendrore. Me mobilizimin e ekipeve tona është arritur që në orët e pasdites të evitohen problemet e paraqitura dhe të rikthehet furnizimi me ngrohje për pothuajse të gjithë konsumatorët tanë. Por, pasi që ndërprerja e paparalajmëruar e ngrohjes ka dëmtuar edhe në disa vende rrjetin e ngrohjes në qytet, nuk është arritur të stabilizohet furnizimi me ngrohje për disa objekte banesore. Në këto çaste, kur po mbretërojnë temperatura për disa gradë nën zero, ekipet tona janë duke punuat intensivisht, që nga orët e hershme të mëngjesit për të sanuar defektet e paraqitura dhe për të stabilizuar furnizimin me ngrohje”, ”, ka thënë Uka për Ballkani.info.