Termkolli u thotë ‘turp’ deputetëve të LDK-së që bojkotuan fjalimin e Osmanit

Zyrtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka kritikuar deputetët e LDK-së, që bojkotuan fjalimin e sotëm të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit.

Tërmkolli i ka krahasuar deputetët e LDK-së që bojkotuan fjalimin, me ata të Vetëvendosjes, që dikur bojkotonin paraqitjen vjetore të ish-presidentit Hashim Thaçi.

“Turp i deputetëve të LDK-së! Njësoj si PDK dikur, e pastaj edhe VV kur bojkotonin paraqitjen vjetore të Presidentit në Kuvend! Ani kishe institucionalista! Turp!”, ka shkruar Tërmkolli në Facebook.

Presidentja Vjosa Osmani u është adresuar sot deputetëve të Kosovës me fjalimin vjetor mbi punën e saj si shefe e shtetit.

Fjalimin e saj e kanë bojkotuar PDK-ja, AAK-ja e Lista Serbe, teksa nga ish-partia e saj LDK, në sallë të pranishëm ishin vetëm tre deputetë.

Armend Zemaj, Hykmete Bajrami e Valentina Bunjaku, ishin tre deputetët që shkuan në seancën plenare për ta dëgjuar fjalimin vjetor të presidentes Osmani.