Tërmkolli: “Projekti i historisë së përbashkët”, kulmi i marrëzisë sonë që nga paslufta

Projekti i historisë së përbashkët nga Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Evropën Juglindore ka shkaktuar debate në Kosovë.

Në këtë projekt të përmbledhur në disa vëllime kanë kontribuar autorë nga vende të ndryshme ndër të cilët edhe historiani nga Kosova Frashër Demaj dhe disa historianë nga Shqipëria.

Disa citate nga ky libër kanë ngjallur indinjata në Kosovë. Dokumentet e dërguara nga historianët serb masakrës së Reçakut i referohen “incident”, ndërsa në disa raste tjera denigrohet personaliteti i gruas shqiptare.

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Melihate Tërmkolli në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se në këtë libër dëmtohet rëndë e vërteta jonë historike.

“Dëmtimi është në dy raste: ajo që paraqitet është e shtrembëruar dhe ajo që nuk është paraqitur nga historia jonë po ashtu shtrembëron historinë”, tha ajo, përcjell Telegrafi.

Tërmkolli thotë se pavarësisht se ky libër paraqet historinë alternative për nxënësit e shumë vendeve, nuk është argument për të shtrembëruar historinë.

Politikania ka bërë kritika edhe ndaj Frashër Demajt pasi sipas saj ai nuk është dashur të mbajë faturën e tjetër kujt.

Tërmkolli thotë se si ka mundësi që akademikët shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë janë futur në një projekt që nuk e dinë se si do të del.

“Mos ata e kanë ditur dhe janë futur qëllimshëm. Në këtë projekt thuhet që të hiqet dorë nga historia nacionaliste që ne në Kosovë nuk e kemi pasur asnjëherë. Ne as politikë nacionaliste nuk kemi bërë asnjëherë”.

Ish-deputetja thotë se në librin në fjalë nuk përmendet se në Kosovë ka pasur luftë.

“Kjo është kulmi i marrëzisë sonë që nga paslufta. Neve nga qarqe të ndryshme edhe politikisht na kanë thënë që të harrojmë gjithçka që ka ndodhur dhe të shikojmë përpara”, deklaroi mes tjerash Melihate Tërmkolli.