Tërbohen gjermanët, policia në këmbë – rrethohet Bundestagu

Qindra qytetarë kanë protestuar në qendër të Berlinit kundër planeve të kancelares Angela Merkel për t’i dhënë më shumë fuqi qeverisë së saj, me qëllim që t’i ashpërsojë masat për ndalimin e përhapjes së koronavirusit, shkruan agjencia Reuters. 

Parlamenti gjerman pritet të miratojë ligjin që ia mundëson Qeverisë t’i shtrëngojë masat për distancën sociale, mbajtjen e maskës, konsumimin e alkoolit në publik dhe mbylljen e dyqaneve. Ani pse gjermanët pranojnë mbylljen e lehtë për të luftuar valën e dytë të pandemisë, kritikët janë arsyetuar se ligji i mundëson qeverisë më shumë pushtet dhe rrezikon të drejtat e qytetarëve pa miratimin e Parlamentit.

Partia e djathtë ekstreme, AfD, e ka krahasuar me ligjin e vitit 1933 që ia mundësoi diktaturën Hitlerit. Shumica e protestuesve nuk mbanin maskën dhe nuk respektuan distancën sociale. Policia ka bërë thirrje për shpërndarjen e protestuesve me qëllim që t’i shmangen incidentit të muajit gusht, kur turma tentoi të hynte në objektin e Parlamentit.

Oficerët e policisë u rreshtuan për të ndaluar demonstruesit të afroheshin shumë pranë ndërtesës së parlamentit.

Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, u vlerësua pozitivisht për mbajtjen e niveleve të infeksionit dhe vdekjeve, nën ato të shumë fqinjëve të saj në fazën e parë të krizës, por tani është në mes të një vale të dytë, si shumica e pjesës tjetër të Evropës.

Instituti Robert Koch të mërkurën tha se janë konfirmuar edhe 17,561 raste të reja me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 833,307 ndërsa numri i të vdekurve është 13.119, raporton Reuters.

Merkel ka deklaruar një natë më parë se gjendja me koronavirus është shumë serioz në vend. Austria fqinje ka nisur prej të martës mbylljen e dytë të vendit si masë për të frenuar përhapjen masive të koronavirusit pas ngritjes së rasteve. Autoritetet italiane kanë rpaortuar për krizë kapacitetesh në disa qytete të vendit.

Turqia ndërkaq njoftoi se duke filluar nga dita e premte do të hyjnë në fuqi masat e reja kundër pandemisë së COVID-19. Ministria e Brendshme e Turqisë tha se masat do të përfshijnë kufizime në funksionimin e restoranteve dhe kafeneve, dhe zbatimin e një izolimi të pjesshëm gjatë fundjavës.

Sipas deklaratës, restorantet, kafenetë, qendrat tregtare dhe sallonet e flokëve do të jenë në gjendje të punojnë nga 7.00 në 17.00, ndërsa në restorante do të lejohen vetëm shërbimi “take aëay” (merre me vete). Kinematë do të mbyllen deri në fund të vitit, ndërsa shkollat fillore do të kalojnë në mësimin në distancë.

Turqia, ka rreth 83 milionë banorë. Të martën raportoi 103 vdekje të reja nga COVID 19, hera e parë që numri i përditshëm arriti mbi 100, që nga 25 prilli.

Deri më tani 11.704 vdekje janë regjistruar nga koronavirusi në Turqi. Shifra vlerësohet të jetë relativisht e ulët kur krahasohen me vendet me popullsi të ngjashme dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vlerësuar Ankaranë për përgjigjen e saj ndaj pandemisë.

Autoritetet turke u kanë kërkuar njerëzve që të mbajnë maska në rrugë nëpër qytete të mëdha që nga korriku. Kjo masë hyri në fuqi në shkallë vendi në muajin shtator.