“Teoritë konspirative” – Kurti i përgjigjet Edi Ramës: S’e di për çka është fjala

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kancelaren Merkel i është përgjigjur homologut të tij shqiptar, Edi Rama në lidhje me një deklaratë të këtij të fundit ku tha se Kosova nuk po i bashkohet “Open Ballkan” duke besuar në teori konspirative.

Kurti para mediave pas takimit me Merkel tha se nuk e di për çka e ka  pasur fjalën Rama, por se përveç procesit të Berlinit nuk ka alternativa tjera.

“Unë nuk e di për çfarë teorie konspiracioni është fjala këtu. Unë nuk e di se për çfarë teorie bëhet fjalë unë po ua tregoj qëndrimin tim që poashtu e thash edhe aty e ky është që procesi i Berlinit është i nevojshëm, por edhe i mjaftueshëm për rrugëtimin evropian dhe s’ka nevojë për variante të tjera”, tha ai.

Sipas Kurtit, nuk ka mirëkuptim për Serbinë e cila nuk e njeh Kosovën.

“Ballkani nuk është tri shtete, por as gjashtë e është 12 shtete. Edhe në takim e theksova se çfarëdo mirëkuptimi ndaj Serbisë për mosnjohjen e Kosovës i kushton Kosovës dhe nuk ka vend për një mirëkuptim të tillë.Ne do të kemi takim në mes dy qeverive edhe me Shqipërinë e vetmja arsye pse e kemi me Maqedoninë e Veriut së pari është se në Shqipëri ende nuk është formuar Qeveria. Ne kemi pa numër gjëra që na afrojnë e bashkojnë, por natyrisht pyetjet bëhen për një të vetmen që na ndajnë”,tha ai”, tha Kurti.