Teoria e Kurtit për zhvillimet në Veri nuk e bindë Escobarin: Nuk mendoj kështu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi të hënën se Serbia po përpiqet të maskojë refuzimin e nismës franko-gjermane për një marrëveshje ndërmjet të dyja vendeve duke bërë përpjekje të destabilizojë situatën në veriun e Kosovës. Kështu ai e komentoi edhe largimin e serbëve nga institucionet.

Por Emisari amerikan Gabriel Escobar nuk pajtohet me këtë pohim të Kurtit.

“Jo nuk mendoj që është kështu. Mendoj se reagimi është në atë se çfarë po ndodhë në terren. Sa i përket propozimit franko-gjerman është shumë herët për ne që të peshojmë përgjigjet. Kjo situatë, kjo krizë duhet të trajtohet për atë që është.

Janë tensione që po rriten për shkak të mungesës së komunikimit, mungesës së bashkërendimit dhe mungesës së vullnetit për të marrë pjesë dhe për t’u angazhuar plotësisht në dialog”, ka thënë Escobar për Zërin e Amerikës.