Teoria konspirative

Teoria e injektimit të mikroçipave nga Bill Gates në vaksinën e Covid-19, si lindi dhe sa e vërtetë është?

Shpërthimi i pandemisë u shoqërua me shumë teori konspirative. Një prej tyre, që është përhapur me shpejtësi në gjithë globin dhe vazhdon të diskutohet edhe sot, është ajo e injektimit të mikroçipave në vaksinën e Covid-19. Kjo teori pretendon se pandemia e koronavirusit është një mbulesë për një plan për të implantuar mikroçipa të gjurmueshëm dhe se bashkë-themeluesi i Microsoft Bill Gates qëndron pas tij.

Por si lindi kjo teori dhe sa e vërtetë është?

Në fakt, nuk ka asnjë “mikroçip” në vaksina dhe nuk ka asnjë provë për të mbështetur pretendimet se Bill Gates po e planifikon këtë për të ardhmen.

Fondacioni Bill dhe Melinda Gates tha për BBC se pretendimi ishte “i rremë”.

Thashethemet filluan të qarkullojnë në mars, kur Bill Gates tha në një intervistë se “ne do të kemi disa certifikata dixhitale” të cilat do të përdoren për të treguar se kush do të shërohej, do të testohej dhe në fund se kush bëri një vaksinë. Ai nuk përmendi asnjë mikroçip.

Kjo solli një artikull të shpërndarë gjerësisht me titull: “Bill Gates do të përdorë implantet e mikroçipit për të luftuar koronavirusin”. Artikulli i referohet një studimi, financuar nga The Gates Foundation, rreth një teknologjie që mund të ruajë të dhënat e vaksinave të dikujt në një bojë të veçantë.

“Sidoqoftë, teknologjia nuk është një mikroçip dhe është më shumë si një tatuazh i padukshëm. Ajo nuk është botuar ende, nuk do të lejojë që njerëzit të gjurmohen dhe informacioni personal nuk do të futet në një databazë”, thotë Ana Jaklenec, një shkencëtare e përfshirë në studim.

Themeluesi miliarder i Microsoft ka qenë subjekt i shumë thashethemeve të rreme gjatë pandemisë. Ai është vënë në shënjestër për shkak të punës së tij filantropike në shëndetin publik dhe zhvillimin e vaksinave.

Pavarësisht nga mungesa e provave, në maj, një sondazh i YouGov me 1,640 njerëz sugjeroi se 28% e amerikanëve besonin se Gates donte të përdorte vaksinat për të implantuar mikroçipa te njerëzit – shifra rritej në 44% midis republikanëve.